Një situatë e pazakontë ka vënë në qendër të debatit konkursin “Miss Finlanda”, pasi fitueses së këtij viti, Sarah Dzafce, iu hoq titulli vetëm pak ditë pas shpalljes. 22-vjeçarja me origjinë shqiptare nga Kosova u bë kështu e para garuese në historinë e konkursit që humb zyrtarisht kurorën.
Vendimi erdhi pas publikimit të një fotografie që nisi të qarkullonte me shpejtësi në Snapchat dhe më pas në Instagram. Në imazhin e shpërndarë nga media finlandeze Ilta-Sanomat, Sarah shfaqej duke tërhequr sytë me gishta për t’u dukur “të pjerrët”, ndërsa mbi foto ishte shkruar “Kiinalaisenkaa syömäs” (“Duke ngrënë me një kinez/ushqim kinez”). Reagimet publike ishin të menjëhershme, ndërsa gjesti u cilësua si ofendues ndaj komuniteteve aziatike.Pas presionit mediatik dhe shqyrtimit të situatës, drejtuesja e konkursit, Sunneva Sjögren, doli para gazetarëve për të njoftuar vendimin përfundimtar.
“Ky ishte një vendim i arsyetuar dhe i vështirë,” tha ajo, duke theksuar se sjelljet diskriminuese nuk janë të pranueshme nga një figurë që mban titull kombëtar
Edhe vetë Sarah, e cila shpesh ka folur me krenari për “rrënjët në malet e Kosovës”, është shprehur e befasuar nga zhvillimet.
“Nuk e prisja. E mora vesh këtë mëngjes. Vendimi u mor me mirëkuptim të ndërsjellë,” deklaroi ajo për mediat vendase.
Heqja e kurorës nga fituesja kryesore është një rast që nuk ka ndodhur më parë në historinë e “Miss Finlanda”, duke e kthyer këtë incident në një nga debatet më të komentuara të javës në Finlandë dhe më gjerë.

