Në sheshin e madh të Shkodrës, mes dritave shumëngjyrëshe dhe zhurmës së festës, bie në sy një fytyrë e panjohur për qytetin.
Është Viktoria Soltoggio, një vajzë nga Australia, e cila ka lënë mijëra kilometra larg shtëpinë e saj, për t’u gatuar çdo ditë shkodranëve petulla tradicionale shqiptare.
“Është një gatim tipik shqiptar që unë e dua shumë. Për t’i mësuar se si gatuhen nuk ishte e vështirë, e mësova për një ditë. E bëj brumin gati një natë më përpara, e le të pushojë, të fryhet. Pastaj në mëngjes vij e shtrij sërish brumin dhe i vendos në tigan”Viktoria erdhi në Shkodër si turiste disa muaj më parë, por shpejt gjeti këtu një familje të madhe me miq, një të dashur shkodran dhe mikpritjen e veçantë.
SHIKO VIDEON
“Fillimisht erdha si turiste, gjeta një familje të madhe këtu me miq, pastaj edhe një të dashur shkodran me të cilin po jetoj dhe tani, po shijoj edhe kulturën e jetën këtu në Shqipëri. Unë vetëm gatuaj, nuk i dëgjoj shumë çfarë më thonë njerëzit. Dikush me komplimenton, të tjerët thonë: Erdhi nga Australia të gatuajë petullat tona. Këto janë krishtlindjet e para në dimër që po kaloj, pasi në Australi është gjithmonë shumë nxehtë. Po i provoj dhe po kënaqem”.
Australianja ka edhe një apel për shqiptarët, sidomos për atmosferën festive të Shkodrës.
“Atmosfera që bëhet këtu çdo natë është e pabesueshme. Fantastike! Nuk kam përjetuar diçka të tillë me përpara. Është shumë e bukur, e ngrohtë, e çmendur njëkohësisht, por edhe festive. Të gjithë bashkë festojmë Krishtlindjen. E dua shumë. Tani kam një shtëpi shumë larg shtëpisë time”.

