Mjekët: 1 në 4 persona në Shqipëri pëson goditje në tru

Mjekët: 1 në 4 persona në Shqipëri pëson goditje në tru

1 në 4 persona në Shqipëri pëson goditje në tru. Alarmin e ngrenë neurologët që thonë se rastet vijnë në rritje nga viti në vit, madje duke prekur edhe moshat e reja. Në Shqipëri regjistrohen afërsisht 4 mijë raste me goditje në tru.

“Janë sëmundje akute, të menjëhershme, që kërkojnë ndihmë të menjëhershme. Numri i pacientëve vjet është gjithmonë në rritje. Mesatarisht në shërbim mund të shtrohen 1 mijë e 200 deri në 1 mijë e 500 pacientë. Në të gjithë Shqipërinë mund të shkojë te vlera 3 mijë – 4 mijë raste. 15% të rasteve bëjnë ripërsëritje të goditjeve në tru”, tha Entela Basha, neurologe në QSUT.Sipas mjekëve, në shumicën e rasteve pacientët paraqiten vonë te specialisti, duke bërë që të rriten invaliditetet tek ata që preken. Shkaku kryesor është presioni i lartë i gjakut, por edhe faktorët gjenetikë.
shiko video
“Nëse kemi një infarkt apo hemorragji masive, kërcënohet jeta dhe shkalla e invaliditetit është shumë e lartë. 30-40% e rasteve që arrijnë të vijnë në kohë dhe të marrin ndihmën e duhur, prognoza është mjaft e mirë.”

Goditja në tru mbart një rrezik të lartë vdekjeje. Të mbijetuarit mund të përjetojnë humbje të shikimit ose të të folurit, paralizë dhe konfuzion. Të cilësuara si të dytat në botë për rastet e shumta dhe fatalitetet, goditja në tru kërkon reagim shumë të shpejtë nga mjekët për të shmangur invaliditet apo vdekje të pacientit.

Çdo vit, 15 milionë njerëz në të gjithë botën pësojnë një goditje në tru. Nga këta, 5 milionë humbin jetën dhe 5 milionë të tjerë mbeten të paaftë përgjithmonë.

Tv Klan