Maria Branyas, e cila vdiq në Spanjë vitin e kaluar në moshën 117 vjeçe, mbante titullin e gruas më të vjetër në botë. Shkencëtarët që studiuan gjenomin e saj besojnë se mosha e saj biologjike ishte shumë më e re se mosha e saj kronologjike, gjë që mund të shpjegojë jetëgjatësinë e saj.
Përpara se të ndërronte jetë në gusht 2024, ajo dha pëlqimin që të merreshin mostra gjaku, pështyme, urine dhe jashtëqitjeje, të cilat u analizuan nga studiues spanjollë. Qëllimi ishte të krahasoheshin rezultatet e saj me ato të njerëzve të tjerë të një moshe të ngjashme.
Sekretet gjenetike të jetëgjatësisë
Mostrat zbuluan se Branias kishte shënjues të avancuar të moshës, por gjithashtu shfaqte karakteristika të habitshme “rinore”. Ajo kishte nivele të ulëta inflamacioni, shëndet të mirë të zorrëve dhe një profil gjenetik “rinor”, që do të thotë ndryshime në mënyrën se si shprehen gjenet pa modifikuar ADN-në.
Në të njëjtën kohë, ajo mbante variante të rralla gjenetike që duket se e mbrojnë atë nga sëmundje të zakonshme si sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe sëmundjet neurodegjenerative si Alzheimeri dhe Parkinson.
Studiuesit e përshkruan rastin e Branias si “të jashtëzakonshëm”, duke vënë në dukje se gjetjet ofrojnë njohuri të reja mbi biologjinë e plakjes dhe strategjitë e mundshme për zgjatjen e jetës.
Rëndësia e stilit të jetesës
Pavarësisht kontributit të rëndësishëm të gjenetikës, ekspertët studiuan edhe zakonet e përditshme të Branyës. Ajo konsumonte tre kos në ditë, duke ruajtur shëndet të mirë të zorrëve dhe një peshë të shëndetshme trupore. Ajo ndiqte kryesisht një dietë mesdhetare, kishte një orar të qëndrueshëm gjumi, bënte ushtrime fizike, ruante shëndet të mirë mendor dhe merrte pjesë aktive në jetën shoqërore.
Leximi, të luajturit në piano dhe kopshtaria ishin disa nga hobet që plotësonin një stil jetese të ekuilibruar.
Sfida për shkencën
Studiuesit theksuan se rasti i Branyas tregon se plakja dhe sëmundjet nuk janë gjithmonë të ndërlidhura, duke shpërndarë perceptimin e zakonshëm se pleqëria çon në mënyrë të pashmangshme në probleme serioze shëndetësore.
Studimi i tyre, i botuar në revistën shkencore Cell Reports Medicine, hap rrugë të reja për të kuptuar plakjen e shëndetshme dhe përforcon bindjen se një kombinim i gjenetikës dhe stilit të jetesës mund t’i mbajë njerëzit të shëndetshëm për më gjatë. /LAPSI.al

