Kaos gjatë vizitës së Messi-t në Indi, tifozët shkulin karriget e stadiumit

Kaos gjatë vizitës së Messi-t në Indi, tifozët shkulin karriget e stadiumit

Turneu i madh i Lionel Messit në Indi, që nisi sot në stadiumin Salt Lake në Kalkuta, u shoqërua nga incidente të pakëndshme. Sipas raportimeve të agjencisë indiane të lajmeve ANI, një grup tifozësh reagoi me dhunë duke grisur karrige dhe duke i hedhur ato në fushë, pas një vizite shumë të shkurtër të yllit argjentinas në stadium.

Messi ndodhet në Indi në kuadër të një turneu që përfshin pjesëmarrje në koncerte, seminare futbolli për të rinj, një turne padeli si edhe aktivitete bamirësie në qytete të ndryshme si Kolkata, Hyderabad, Mumbai dhe New Delhi. Mediat vendase raportojnë se fituesi i Kupës së Botës 2022 përshëndeti tifozët duke ecur nëpër stadium, por u rrethua shpejt nga një turmë e madhe dhe u detyrua të largohej vetëm 20 minuta pas mbërritjes.

Pamjet e publikuara tregojnë tifozë që hedhin në fushë karrige të shkatërruara dhe objekte të tjera, ndërsa disa prej tyre kishin hipur mbi gardhin rrethues të stadiumit. Një tifoz i revoltuar u shpreh se vetëm zyrtarët dhe agjentët kishin akses pranë Messit, duke shtuar se kishte paguar 12 mijë rupi për biletën, por nuk kishte mundur as ta shihte nga afër futbollistin.