Mjekët flasin për depistime të hershme, kontrolle periodike si dhe për trajtime, duke sjellë në vëmendje shumë raste grash që ja kanë dalë.
Mjekja onkologe Manjola Luzi, e ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, rrëfeu për rastin e një vajze 22-vjeçare, e cila është e prekur nga kanceri i gjirit. Ajo rrëfen sesi e reja e ka zbukuar e më pas trajtuar.
“Pacientja më e vogël që kam trajtuar me kancer gjiri ishte 22 vjeç. Ajo në fakt vinte nga një histori familjare, pasi kishte pasur hallën me kancer në gji. Kjo e kish shtyrë të renë të bënte kontroll, pasi kishte ndjerë edhe një diskonfort në gjirin e saj. Radiologia arriti të kuptojë një zonë të vështirë dhe u konfirmua dyshimi i 22- vjeçares, më pas ju bë edhe biopsia”, rrëfeu mjekja.Onkologia Luzi u ndal tek rastet dhe grupmoshat më të prekura, ajo tha se tashmë po shihen gjithmonë e më shumë të preken moshat e reja.
“Kanceri i gjirit është në një rritje progresive, si në botë ashtu edhe në vendin tonë. Në Amerikë përshembull 1 në 8 femra preken nga kanceri i gjirit. Në Shqipëri moshat ku priten janë 50-70 vjeç, por po shohim se gjithnjë e më tepër po preken gratë dhe vajzat edhe nën moshën 30 dhe 40 vjeç”, u shpreh onkologia.
Sipas mjekes ka një sërë faktorësh që nga stili i jetesës e deri tek faktori gjenetik.
Onkologia Manjola Luzi dha dhe disa këshilla sesi vajzat dhe gratë mund ta kontrollojnë gjirin e tyre.
Këshilla vetëparandaluese
Vetë ekzaminimi është një element i rëndësishëm për të parandaluar. Vetë ekzaminimi duhet të fillojë që në moshën 20 vjeç. Vajzat çdo muaj duhet të vetë ekzaminohen nga dita e 5-të deri në ditën e 10-të të ciklit. Gjiri është më i butë, nuk është i dhimbshëm dhe vetë ekzaminohet shumë mirë. Nuk bëhet vetëm me gishta, por me gishta të bashkuar dhe me mollëzat e tyre, me dorën e djathtë kontrollohet gjiri i majtë, kontrollohen kuadrantet në formë rrethore, fillohet nga kuadrantet e jashtme duke e palpuar dhe kontrollohet edhe pjesa e sqetullës. Një femër që mund të vejë re ndryshimet që ndodhen në gjirin e saj duhet me patjetër të shkojë tek specialisti.
Por a është çdo dhimbje gjoksi një alarm për tumor? Mjekja onkologe Manjola Luzi shpjegon se tumoret nuk dhembin zakonisht.
“Tumoret nuk dhembin zakonisht, dhimbja shkaktohet nga disbalancat hormonale ose nga prezenca e kisteve, apo nga probleme reumatizmale”, përfundoi onkologia Luzi.MC/Shqiptarja.com

