Kur hypën në një aeroplan, zakonisht nuk mendon të buzëqeshësh për kamerë.
Megjithatë, shumë avionë janë të pajisur me kamera – disa të vendosura dukshëm, të tjerat më diskrete.
Cili është qëllimi i këtyre pajisjeve?
Shumica e kamerave në avion kanë funksione të qarta sigurie dhe mbikëqyrjeje.
Sipas rregullave britanike, CCTV duhet të ketë një arsye të justifikuar për filmim, përdorimi i tij të jetë transparent dhe nuk lejohet të vendoset në zona private si tualetet.
Ekspertët e kamerave të fshehura nga Online Spy Shop shpjegojnë se në avionët e mëdhenj, kamerat e jashtme zakonisht ndodhen në bishtin e avionit, në pjesën e poshtme të trupit apo pranë trenit të uljes.
Këto kamera u ndihmojnë pilotëve të shohin pistat ndihmëse, vendparkimet dhe automjetet përreth, duke i lejuar të manovrojnë avionin me siguri.Disa linja ajrore madje i transmetojnë këto pamje në ekranet e sediljeve, në mënyrë që pasagjerët të mund të shohin pistën gjatë ngritjes apo uljes.
Në brendësi të kabinës, kamerat shërbejnë për një rol tjetër – ruajtjen e rendit dhe sigurisë së ambientit të brendshëm.
Kamerat zakonisht vendosen në zona të vështira për t’u monitoruar nga ekuipazhi.
Për shembull, pajisjet e montuara në tavan u lejojnë stjuardesave të shohin korridoret gjatë ngritjes dhe uljes.
Kamera të vogla të vendosura jashtë derës së kabinës së pilotëve u mundësojnë pilotëve të verifikojnë se kush po pret të hyjë, pa qenë nevoja të hapin derën.
Në thelb, kamera brenda aeroplanëve u shërbejnë pilotëve dhe ekuipazhit për të pasur një panoramë të qartë të çdo pjese të avionit, edhe aty ku syri i tyre nuk arrin drejtpërdrejt.
Si mund t’i dalloni këto kamera?
Në një fluturim të zakonshëm, kamerat janë relativisht të lehta për t’u vënë re – mjafton të dish ku të shikosh.
Mund të ketë një kupolë të vogël pranë një dere.
Ose një lente të vogël të vendosur mbi korridor.
Në ekranin tuaj mund të shfaqet pamja e jashtme gjatë lëvizjes në pistë ose gjatë uljes.
Jo të gjithë avionët kanë kamera të fshehura, por modelet më të mëdha dhe më moderne zakonisht i posedojnë.
Për shembull, aeroplanët bashkëkohorë si Boeing 787 dhe Airbus A350 janë të pajisur me kamera që u tregojnë pilotëve dhe ekuipazhit situatën brenda dhe jashtë avionit.
Në avionë shumë të mëdhenj, si Airbus A380, këto kamera janë mjete thelbësore navigimi. /GazetaExpress/

