Guximi që u shpërblye: 2.5 milionë dollarë për heroin e Bondi Beach

Guximi që u shpërblye: 2.5 milionë dollarë për heroin e Bondi Beach

Burri që u vlerësua si “Heroi i Bondi”, pasi ndërhyri për të ndalur një nga autorët e sulmit të armatosur në plazhin Bondi në Australi, ka marrë një çek me vlerë mbi 2,5 milionë dollarë australianë (rreth 1,65 milionë dollarë amerikanë), të mbledhura përmes një fushate donacionesh online.

Ahmed al Ahmed u bë simbol i guximit kur, pasi u fsheh pas makinave të parkuara, sulmoi nga pas një prej personave të armatosur, i rrëmbeu armën dhe e rrëzoi në tokë. Gjatë përpjekjes, ai u plagos nga të shtënat e një atentatorit të dytë dhe aktualisht po kurohet në spital, pas ndërhyrjes kirurgjikale.

Çeku simbolik iu dorëzua në shtratin e spitalit nga Zachery Dereniowski, influencues i rrjeteve sociale dhe bashkëorganizator i faqes GoFundMe. Në mbledhjen e fondeve kontribuuan mbi 43 mijë persona nga e gjithë bota, përfshirë edhe miliarderin Bill Ackman, i cili dhuroi gati 100 mijë dollarë australianë.

Në deklaratën e tij, Ahmed falënderoi donatorët dhe bëri thirrje për unitet njerëzor dhe mbrojtjen e jetës.

Kryeministri australian dhe drejtuesit lokalë e kanë vizituar në spital, duke e cilësuar aktin e tij si shembull të jashtëzakonshëm trimërie.

Sulmi i së dielës së kaluar në Bondi Beach la 15 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa autoritetet australiane vijojnë hetimet për ngjarjen tragjike.